Monday, November 1, 2010

Enxhi rrëfen të vërtetën mbi “shtatzëninë” dhe lidhjet e saj me Noizyn e Stresin

Nuk është natyrë që merr parasysh gjithçka thuhet për të, por përpara një gënjeshtre të madhe dhe komplet të sajuar, sipas saj askush nuk do mund të qëndronte indiferent. Aq më tepër kur kjo gënjeshtër po ndikon edhe në raportet që ajo ka me dy protagonistët e “zhurmës” së gazetave.
Noizy, apo Stresi? Me cilin prej këtyre rrepistave është e lidhur Enxhi Kamenica? Në momentin që i kërkuam të na përgjigjej drejtpërdrejtë mbi këtë pyetje, qesh dhe lëshon një nga ato idiomat e saj karakteristike, “vdeksha për ty”,  por menjëherë fillon të na rrëfejë të vërtetën. Gjithnjë sipas versionit të saj, “Made by Enxhi Kamenica”.
“Më vjen mirë që për një temë të tillë, e cila më ka prekur shumë një gazetar vjen të më pyesë drejtpërdrejtë dhe jo të kontaktojë nëpërmjet e-maile-ve, apo telefonave. Unë me Noizyn jam njohur në marrëdhënie pune. Më pas miqësia jonë, duke u bazuar në sinqeritet dhe spontanitet është forcuar më shumë. Mes meje dhe Noizyt nuk ka ndjenjë ashtu siç duan ta krijojnë gazetat, por veç një miqësi e pastër”, tregon Enxhi, e cila sa më shumë i hyn kësaj teme, aq më e etur duket për të rrëfyer çdo detaj. “Është bërë një “çorbë” e madhe me këtë punën e mediave, të cilët mezi presin të transformojnë fjalët që thua. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e mikut tim, Noizyt, i cili javën e shkuar jep një intervistë, fokusuar në profesion, por edhe jashtë saj. Një përgjigje e tij e çiltër, (personalisht për mua krejt normale) lidhur me njohjen dhe miqësinë tonë është transformua nga gazetarja sikur mes nesh ka diçka. Ndërkohë që kur pyes Noizyn lidhur me ato çfarë lexova, më thotë që nuk është e vërtetë të kem thënë diçka të tillë”. E në fakt, sot qenka e vështirë t’u besosh njerëzve, por në këtë rast preferoj t’i besoj mikut tim. Gazetat le të shpikin, sepse kur nuk kanë lajme diçka do sajojnë”.
Në momentin që e pyesim lidhur me “shtatzëninë” e saj, këtu Enxhi nuk mbahet dhe tregon, “Ah, lidhur me shtatzëninë time, pse nuk e dini? Unë kam edhe 5 fëmijë të tjerë që i mbaj të fshehur. Aman moj ç’janë këto trillime? Nuk guxon njeriu i shkretë të shëndoshet se direkt ia ngjisin “shtatzënë”.
Por biseda me të nuk përfundon këtu, pasi në këtë “mesele” është mpleksur dhe Stresi, kundërshtari i përbetuar në muzikë i këngëtarit të mësipërm. “Ç’më gjeti mua moj të keqen? Me Stresin prej kohësh kemi njohje familjare dhe nuk më intereson fare ç’bën ai me kundërshtarët e tij në muzikë. Nuk mund ta hedh poshtë një mik familjeje, vetëm pse ata të dy kanë konfliktet e tyre, apo pse qarkullojnë trillime të tilla nëpër gazeta. Se çfarë bëjnë ata të dy me njëri-tjetrin nuk dua t’ia di fare, po fare ama. Janë çështje personale dhe mua më takon të qëndroj larg këtij diskutimi. Arkimedin (Stresi) është engjëlli im mbrojtës dhe e kam shumë xhan”, shprehet Kamenica, e cila duke dashur të ndryshojë temën e bisedës na tregon edhe disa nga projektet e saj profesionale. “Shyqyr që kam punën dhe më mban larg këtyre idiotësirave që thuhen, se për Zotin kur të jesh parazit diçka do të shpikësh. Unë vazhdoj të punoj te revista e mikes sime, Aurela Hoxha, por së shpejti do të më shihni edhe me një projekt tjetër fantastik në Top Channel”. Do ju shastis fare, por duroni dhe pak”, përfundon për Game Over, rebelja me emrin Enxhi Kamenica.  

No comments:

Post a Comment