Friday, December 17, 2010

Dibër, stuhia dhe dëbora izolojnë 9 komuna

Dibër, stuhia dhe dëbora izolojnë 9 komuna
Ndërsa ka nisur lëvizja e lirë e qytetarëve pa viza drejt vendeve të Europës, në Dibër në verilindje të vendit, lëvizja e banorëve në shumë zona vijon të jetë e pamundur.
Kjo, për shkak të reshjeve të dëborës të shoqëruara me temperatura të ulëta, që kanë bllokuar mjaft akse rrugore. 

Pas komunave Ulëz dhe Komsi, që prej më shumë se dy javëve kanë mbetur pa energji, probleme të mungesës janë konstatuar edhe në mjaft fshatra të komunave Zerqan, Martanesh, Macukull, Xibër-Murrize. 

Trashësia e reshjeve të dëborës së rënë gjatë 24 orëve të fundit, në këtë qark, ka varijuar nga 10 deri në 20 centimetra, gjë që ka rritur ndjeshëm numrin e komunave dhe fshatrave të izoluar. 

Dje, orëve të para të mëngjesit, është bllokuar për 4 orë edhe aksi nacional rrugor Peshkopi-Burrel, ku segmenti me problematik ka qenë në zonën e Bulqizës. 

Bllokimi i rrugës në zonën e Bulqizës nga vendi i quajtur “Pishat” deri në Qafën e Buallit, ka ardhur më shumë se nga sasia e reshjeve, prej furtunës që përfshiu këtë zonë. 

Ndërkohë, reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë gjithashtu të gjithë rajonin e qarkut të Kukësit. 

Në qytet ka rënë 10-15 cm dëborë, ndërsa temperatura gjatë orëve të natës dhe në mëngjes ka zbritur në minus 13 gradë C. 

Ndërsa në Korcë reshje të shumta dëbore kanë sjellë bllokim të disa rrugëve rurale në zonat malore, ndërkohë që vështirësi në qarkullimin e mjeteve janë paraqitur në të gjitha rrugët e këtij rajoni. 

Reshjet e rëna gjatë natës, duke u gdhirë dita e enjte, krijuan një trashësi deri në 30 centimetra, por në zonat e larta malore edhe më shumë, duke vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve.

No comments:

Post a Comment