Friday, December 17, 2010

Udhëtim në Bajram Curri



Udhëtim në Bajram Curri
Të thuash për Shqipërinë në këtë kohë që është e bukur, të duket mendim “satanik”, që vë në sprovë “durimin e shqiptarit” përballë varfërisë, rrëmujës urbane dhe përmbytjeve  biblike. 
Por nëse rasti të takon të përshkosh rrugët që të çojnë në veri, në një ditë të ftohtë dhjetori, ku syri ngopet me ashpërsinë e relievit, mbuluar nga dëbora, arrin të kuptosh se ajo që thame është punë e mbrapshtë e dorës së njeriut.
Destinacioni këtë herë është Tropoja. 260 kilometra larg Tiranës, një zonë e thellë, me mendje themi “e lënë në mëshirë të fatit”, ndërsa me zemër “një vend bujar” që na ka dhuruar “njerëz të ditur” të letrave shqipe.
Jemi mësuar që qytetin e Bajram Currit, i njohur me këtë emër 42 vjet më parë, ta identifikojmë me Tropojën, por në fakt ai është qendër administrative i kësaj të fundit. Dëbora e parë është mesazhi mikpritës i qytetit mes alpeve. Ndërsa ajo fillon të shtrojë  ngadalë, në Bujanin e paveshur gjejmë kullën e Mic Sokolit, ndërtesa 180-vjeçare, ndodhet në të djathtë të lumit Valbonë, në rrugën Bajram Curri-Hiderocentarli i Fierzës. Hamdi Rustem Mulosmani është pasardhës i tij, nuk mban të njëjtin mbiemër, por me fjalë dëshmon lidhjen e gjakut.
“Prejardhja ime është Hamdi Rustemi, Rustem Bajrami, Bajram Rustemi, Rustem Sokoli. Rustem Sokoli dhe Mic Sokoli kanë qenë vëllezër”, shpjegon Hamdiu.
E kush më mirë se ky njeri mund të kujdesej për këtë objekt të rrallë. Dikur ka shërbyer si muze, është e ndërtuar me gurë dhe pjesërisht prej druri, që kurorëzohet me çati piramidale katër faqesh prej dërrase. Hamdiu, merr rolin e ciceronit dhe me ndihmën e blicit të kameras, na tregoi reliket që kanë mbetur, ndërsa ne kuptojmë se “kulla” e ka humbur “krenarinë e dikurshme”.
Kullat e  Malësisë së Gjakovës në këtë trevë janë “objekte në zhdukje”. Nëse do të ecet me këtë ritëm, ato do të mbeten piktura në telajo për atë që ka talent penelin. Abdulla Gjongecaj, mjeshtër i muraleve në rrethin e Tropojës, e dëshmon atë lidhje mes objektit dhe njeriut.
“Shtëpia ka qenë buzë lumit të Valbonës, një kullë dykatëshe me të gjithë strukturat arkitektonike të kullave malësore, me odën e burrave që është perla e shtëpisë”, thotë Abdulla Gjongecaj.
Ka një vit që është kthyer nga emigrimi, mendonte se gjërat do t`i gjente si më parë, por në Muzeun Historik muralja e realizuar prej tij në `85 “Kuvendi i Malësisë së Gjakovës”, e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. 68 figurat me përmasa reale, që dikur i morën tre muaj kohë në `97 u shkatërruan nga “dalldia njerëzore”. Gjithsesi qyteti për të është inspirues: “Qyteti është një burim kënaqësie ku stinët janë të jashtëzakonshme dhe rrisin fantazinë.”
Si mund të kuptohej qyteti pa vallen dyshe, e njohur si vallja e Tropojës. Në këtë ceremoni dasme nuk neglizhohet riti shekullor. Me lëvizje koreografike të improvizuara, vallja që në `57 ka marrë çmimin e parë në Festivalin Botëror të Moskës, dikur i shërbeu Panajot Kanaçit si lajtmotiv për baletet “Halili dhe Hajria” e “Shota e Azem Galica”.
Qytetit i mungon atmosfera e festave, por ky gëzim familjar na kujton se ai  jeton së brendshmi. Në këtë kontrast mes njeriut dhe natyrës, largohemi nga Bajram Curri, me përshtypjen se vendasit po luftojnë çdo ditë e më shumë për të ndryshuar imazhin e tyre dhe të vendit.

1 comment:

  1. pikerisht ndershimet e medha dhe pa asnje lloj shqetesimi per te mbrojtur traditen e vertet dhe vlerat e medha qe brezat tone i ruajten ne shekuj po sjellin demtimet e pa riparueshme .Per kete spo punohet as pak dhe jam e trishtuar per kete ,qofte per munomentet historike qoft per ruajtje e vlerave te verteta te folklorit shqiptar i cili po zhduketpak nga pak dhe kjo me duket e trishtueshme qe vendin e muzikes bukur shqipe e ka zan muzika e huaj qe ska te baj sa gja me shqipen

    ReplyDelete